Sezoni 2022/23 i Ligës së Parë të Kosovës ka përfunduar dhe ekipet kanë kuptuar fatin e tyre për edicionin e ardhshëm.
Fushë Kosova dhe Feronikeli 74 janë dy skuadrat që kanë siguruar promovimin në Superligën e Kosovës, ndërsa Ulpiana dhe Liria do të luftojnë në barazh për një mundësi për t’u promovuar në ligën elitare të Kosovës.
Ky takim do të zhvillohet ditën e shtunë me fillim nga ora 15:00, atje ku pritet të jetë një përballje fantastike në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Futbollisti i Lirisë, Robert Gjeraj tha për ‘GazetaBlic Sport’ se është një ndeshje e vështirë, por se janë të përgatitur dhe të motivuar për të realizuar objektivin e tyre, ngjitjen në Superligë.
Gjeraj është njëri nga futbollistët më të mirë që ka luajtur në futbollin kosovar dhe këtë edicion e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë skuadrën me përvojën e tij.
“Ndeshja me Ulpianën është një ndeshje e vështirë sepse është ndeshje barazhi dhe është vetëm një takim dhe nuk duhet të gabojmë, për të arritur objektivin që kemi, ngjitja në Superligë. Edhe pse nuk arritëm direkt të hyjmë, jemi gati për këtë vit dhe nuk guxojmë të gabojmë si vitin e kaluar ndaj Vushtrrisë“, tha fillimisht ai.
Më pas, Gjeraj tha se me ndihmën e tifozëve do të kërkojnë sukses sa më të madh në sfidat që kanë, duke përmendur edhe organizimin fantastik që është tek kjo skuadër.
“E kuptojmë që është një ndeshje e vështirë, por jemi mësuar me ndeshje të vështira dhe besoj se me ndihmën e tifo-grupit ‘Arpagjikët’, të cilët edhe këtë vit, si gjithmonë, kanë qenë fantastik në mbështetje të skuadrës sonë, shpresoj t’i gëzojmë sepse ka kohë që presin ta shohin Lirinë në Superligë. Pastaj të përgatitemi për ndeshjen e radhës nëse kalojmë Ulpianën, do të jetë një ndeshje e vështirë për ne ndaj një skuadre të Superligës, por do të kërkojmë me çdo kusht ngjitjen atje. Jemi një klub shumë mirë i organizuar, jo pse jemi Liria, sepse emri nuk luan në fushë, por se më të vëretetë kemi organizim dhe kualitet për të bërë gjëra të mëdha“, përfundoi Gjeraj.