Kuvendi i Kosovës ka vendosur që propozim rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, ta bartë si pikë për votim në seancën e ardhshme.
Me këtë rast është mbyllur edhe seanca e mbajtur të enjten.
“Po e bartim si pikë për votim në seancën e radhës dhe po e mbyllim këtë seancë. Shihemi nesër në seancën solemne për ditën e pavarësisë”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili e ka prezantuar këtë rezolutë ka thënë se kjo duhet të diskutohet me grupet parlamentare gjatë ditëve në vijim dhe më pas të renditet si pikë në seancën e radhës.
“Hoti: Propozoj që rezolutën që e prezantova në fjalën hyrëse ta zhvillojmë diskutimin me grupet parlamentare gjatë këtyre ditëve dhe kjo më pas të renditet si pikë në seancën e ardhshme nëse arrijmë të dakordohemi si grupe parlamentare në mënyrë që ta prezantojmë si rezolutë të ardhshme”, ka thënë ai.
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Eliza Hoxha ka thënë se kjo parti e përkrah rezolutën e LDK-së.
Rezoluta e LDK-së përkrahet nga Partia Demokratike e Kosovës./koha.net/
