Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nehat Ramadani, ka ndërruar jetë pas infektimit me COVID-19.
Kane qenë familjarët e zv.ministrit të ndjerë që kanë dhënë lajmin, ndërsa personalitete nga politika, përfshirë edhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami, që kanë ngushëlluar në rrjete sociale.
Nehat Ramadani kishte lindur në Gjilan më 15 prill 1967. Shkollimin fillor e kishte vijuar në shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan, ndërkaq shkollën e mesme e ka mbaruar në dy cikle të ndara.
Dy vitet e para i vijoi në A.M.O. Arbëria, drejtimi i përgjithshëm, për të vazhduar më pas në Gjimnazin Matematiko-Natyror “Zenel Hajdini” në Gjilan, drejtimi Teknik Laborant i Biologjisë.
Studimet universitare i kishte përfunduar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.
Ai kishte mbaruar edhe kursin intensiv pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, në vitin 2006.
Po ashtu, kishte përvojë afër 20 vjeçare në udhëheqje, shërbime këshillëdhënëse dhe konsulentë në shumë institucione publike vendore dhe kompani ndërkombëtare që kanë vepruar kryesisht nëpërmjet programeve mbështetëse në Kosovë.