Pritjet për pajisje me pasaporta po vazhdojnë ende. Kontrata për furnizim me dokumente personale është nënshkruar në fund të muajit dhjetor, por pajisja e qytetarëve me to s’ka filluar ende. Në mungesë të këtyre dokumenteve, Ministri Xhelal Sveçla i ka kërkuar Gjermanisë që ta lejojë qarkullimin e shtetasve kosovarëve me pasaporta të skaduara. Por, a do ta lejojnë autoritetet gjermane një gjë të tillë? MPB s’ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse është Sveçla ka marrë përgjigje për këtë kërkesë.
Problemit që filloi në muajt e fundit të vitit të kaluar, Ministria e Xhelal Sveçlës s’i ka gjetur zgjidhje ende. Qytetarët po vazhdojnë të përballen me pritje disa javore për të marrë pasaportat.
Si afat për zgjidhjen e këtij problemi ishte dhënë muaji janar, por përveç nënshkrimit të një kontrate në fund të dhjetorit, s’ka diçka konkrete në këtë drejtim.
Se ky problem mund të vazhdojë janë ngritur dyshime nga vetë Sveçla, pas kërkesës që i ka drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë. Ai ka kërkuar që të lejohet qarkullimi i shtetasve kosovarë (që kanë leje qëndrimi) me pasaporta të skaduara.
Gazeta Express ka pyetur MPB’në për këtë kërkesë, saktësisht nëse Sveçlës i është kthyer ndonjë përgjigje, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje. Ministria s’është përgjigjur as për numrin e qytetarëve që janë duke pritur për t’u pajisur me pasaporta.
Lidhur me kërkesën e Sveçlës, para një jave kanë folur nga ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
MPB’ja gjermane ka thënë se Gjermania i njeh pasaportat që kanë vlefshmëri deri në dhjetë vite në linjë me udhëzimet globale të “ICAO-s”. Megjithatë kanë thënë se kërkesa e Kosovës është ende nën shqyrtim.
“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë për Gazetën Express.
