Bindjen e përfaqësuesve të Kosovës për sigurimin e shumicës së nevojshme të votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës e hodhën poshtë të premten në Ambasadën gjermane në Kosovë. Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ambasadë thanë se shumica në këtë Këshill është vështirë që të arrihet përderisa Qeveria e Kosovës e bllokon formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Bllokimi për formimin e Asociacionit do ta vështirësojë sigurimin e shumicës së nevojshme të votave për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, paralajmëruan nga ambasada gjermane.
Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në këtë ambasadë thanë se mosthemelimi i Asociacionit nuk do të bëhet pengesë për Kosovën vetëm në aspektin e anëtarësimit në këtë organizatë. Ndërkaq kërkuan që bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin të fillojnë tani.
“Gjermania dhe partnerët vazhdimisht kanë theksuar se bisedimet për zbatimin e Asociacionit për komunat serbe duhet të fillojnë që tani, duke synuar themelimin e një asociacioni, sipas marrëveshjes përkatëse kosovaro-serbe nga viti 2013, që është plotësisht në përputhje me limitet e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit nuk do ta bëjë më të lehtë për Kosovën arritjen e shumicës së nevojshme për aplikimin e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Ajo do të përbëjë gjithashtu pengesa serioze në procesin e mëtejshëm të asocimit në BE. Sa u përket detajeve teknike, veçanërisht partnerët evropianë mund të ofrojnë mjaft ekspertizë, kur bëhet fjalë për hartimin e qasjeve të përshtatshme ligjore. Gjermania do të jetë e lumtur të mbështesë dhe të ndajë përvojat e saj në këtë fushë nëse dëshiron”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, që nga dorëzimi zyrtar i aplikimit më 12 maj, pretenduan se është siguruar shumica e nevojshme për anëtarësim.
E krahas Gjermanisë, për themelimin e Asociacionit insistim ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi që në rast se nuk bëhen veprime nga Kosova, atëherë ato do të ndërmerren nga ndërkombëtarët.
Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se Qeveria duhet të jetë iniciatore në veprime drejt zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin.
“Nëse presim që të na vijë një dokument nga jashtë, kam drojën që ai mund të vijë për shkak të urgjencës dhe mund të vendosemi në atë pozitë që nuk mund të ndryshojmë as presjen e lërë më pjesë të tekstit. Kështu që, është më mirë të jemi më proaktivë e ta marrim këtë proces në duart tona”, ka thënë ai.
E politologu Shkumbin Beqiri, i ka kualifikuar këto zhvillime si presion ndaj të dyja palëve, në prag të arritjes së një marrëveshjeje. Ai ka thënë se Qeveria duhet ta krijojë mekanizmin e saj që do t’ua mundësonte serbëve të Kosovës zbatimin më efektiv të të drejtave, ndaras nga Serbia.
“Deri më tash e kemi parë që gjithçka që është folur për serbët është folur përmes Beogradit dhe asociacioni duhet që këtë adresë të përfaqësimit të të drejtave të minoritetit serb, në këtë rast ta shkëputë në raport me Kosovën dhe të jenë pikërisht serbët e Kosovës ata të cilët e përdorin asociacionin thjesht për t’i realizuar të drejtat e tyre, por jo diçka e cila e cenon karakterin unitar të shtetit dhe e pengon ushtrimin e sovranitetit të shtetit”, është shprehur Beqiri.
Në Qeveri nuk pranuan të deklarohen rreth telasheve që mosthemelimi i Asociacionit mund t’ia shkaktojë Kosovës në aspektin e integrimit evropian dhe për mundësinë e ndërhyrjes nga ndërkombëtarët.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Asociacioni mund të adresohet në kuadër të planit evropian. Themelimi i tij ishte një nga çështjet e adresuara edhe gjatë vizitës së këshilltarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, në Kosovë e në Serbi.