Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, derisa foli për situatën e tensionuar për disa javë në veri, ajo deklaroi se Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës. Ajo dënoi sulmin e djeshëm në Shtërpcë ndaj dy qytetarëve serbë.
Në konferencë për media, ajo po ashtu u zotua që gjatë këtij viti do të thellohet bashkëpunimi me Kosovën me takime ndërqeveritare dhe do të angazhohen për diskutime në Këshillin e Sigurimit për Kosovën. Ajo tha se vetëm dialogu është rruga drejt paqes, stabilitetit dhe rrugëtimit evropian.
“Vendimi konstruktiv i Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve në veri, ishte një vendim i duhur por për fat të keq nuk ia doli që të çtensiononte situatën, ashtu siç duhej të kishte ndodhur. Dhe pastaj bojkoti i institucioneve, akteve të papranueshme të dhunës nga disa grupe të serbëve të Kosovës kundër policëve të Kosovës, kundër EULEX-it, kundër gazetarëve e përkeqësuan më tej situatën duke krijuar në këndvështrimin tonë një eskalim, një tension artificial të pajustifikuar, të papranueshëm i cili mund të kishte degraduar më keq nga ajo që kemi parë deri më tani. Prandaj edhe ne kemi bërë thirrje, koordinuar me partnerët edhe aleatët tanë për t’i dhënë fund këtyre akteve, për të hequr menjëherë barrikadat, sigurisht të rreshtuar krah Kosovës. Ne jemi edhe më të vendosur përkrah Kosovës. Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo deklaroi se asnjëherë nuk kanë mbrojtur retorikat nacionaliste të Serbisë, përkundër bashkëpunimit ekonomik në procesin e Ballkanit të hapur.
“Dënojmë edhe sulmin që ka ndodhur dje ndaj dy qytetarëve të Kosovës me etni serbe dhe përshëndesim atë që ka bërë Policia e Kosovës, duke vepruar shpejt në përpjekje për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë por edhe në përpjekje për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë ata me etni serbe, pa dallim. Një zgjidhje e vërtetë, afatgjatë dhe e qëndrueshme për këto tensione mund të vij vetëm përmes një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë. Sovraniteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt të pranohet ky realitet nga Serbia, aq më mirë do të jetë për stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin evropian të rajonit tonë. Dhe retorikat nacionaliste dhe kërcënimet për zgjidhje ushtarake vetëm nxisin tensionin dhe ne kemi qenë gjithmonë kundër kësaj. Dhe nuk ka pasur absolutisht në asnjë rast të vetëm, asnjë lloj mbrojtje të Serbisë duke dëmtuar Kosovën”, tha ajo në konferencë për media.
Xhaçka tha se do punohet për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën, edhe me takime të tjera ndërqeveritare, me shkëmbimin e diplomatëve mes dy ministrive të jashtme të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe përfundimin e procedurave për konsullatat e përbashkëta.
Xhaçka shtoi se Prishtina duhet t’i ketë të gjithë miqtë në krah, kur u pyet për deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se as ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën./ KP