Largimin e papritur të basketbollistit Muhamedali Janjeva nga Sigal Prishtina te Ponte Prizreni e kanë shfrytëzuar shpejt dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke pasur parasysh tregun e vogël të lojtarëve vendorë dhe nevojën e klubeve elitare për ta, Ponte Prizreni ka reaguar për t’i siguruar shërbimet e Janjevës, i cili ka pasur edhe oferta të tjera nga Superliga.
Janjeva, i cili vitin e shkuar u gradua në kapiten te Prishtina, të enjten u zyrtarizua te Ponte Prizreni. Ai këtë edicion ka ndeshje të luajtura me Prishtinën, por shkëputi kontratën për arsye personale.
Por, edhe pse firmosi me ekipin prizrenas, Janjeva nuk mund të luajë menjëherë për Ponten, pasi lëvizja e tij është bërë pas përfundimit të afatit. Megjithatë drejtuesit e klubit, duke shfrytëzuar zbrazëtirat në rregullore, kanë gjetur mënyrën për ta transferuar Janjevën.
Ponte Prizreni ka bërë një lëvizje jo të zakonshme por konform rregullores së Federatës të Basketbollit të Kosovës. Për të mos e pritur fundin e vitit, kur është afati tjetër, Ponte Prizreni e ka huazuar Janjevën në Shqipëri, përkatësisht te skuadra e Kamzës. Janjeva te Kamza do t’i regjistrojë vetëm katër paraqitje dhe pas një muaji do të debutojë me fanellën e Ponte Prizrenit në Superligën e Kosovës.
Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, tha se ishin të detyruar ta bëjnë një lëvizje të tillë. Sipas Rifatit, kjo është mënyra e vetme për ta angazhuar një lojtar vendor jashtë afatit kalimtar. Rifati thotë se Janjeva vetëm duhet t’i luajë katër ndeshje jashtë kufijve të Kosovës dhe pa problem mund të kthehet për të luajtur në Superligë. Ai do të debutojë në xhiron e nëntë në ndeshjen që Ponte e luan në udhëtim te skuadra e Pejës.
Rifati thotë se me huazimin e Janjevës në Shqipëri e ka ndihmuar Kamzën, por edhe Kamza e ka ndihmuar Ponte Prizrenin që ta ketë basketbollistin në dispozicion pas një muaji. Kështu për Janjevën, sipas vlerësimit të Pontes, llogaritet transferim nga tjetër vend dhe kjo lejohet me rregullore edhe pas afatit.
“Për të luajtur Janjeva me ekipin tonë para afatit kalimtar të dimrit, që është në fund të dhjetorit dhe vetëm për tri ditë, duhet t’i luajë katër ndeshje ose një muaj jashtë Kosovës. Kjo është mundësia e vetme për lojtarët vendorë që të regjistrohen kur bëjnë një lëvizje të tillë jashtë afatit. Ne nuk kemi dashur ta presim afatin e dimrit dhe kemi vepruar në këtë mënyrë sepse kishim nevojë për vendorë”, është shprehur Rifati të enjten për KOHËN. “Janjeva do t’i luajë për Kamzën katër ndeshje dhe pastaj do të debutojë me Ponte Prizrenin prej xhiros së nëntë dhe do të jetë pjesë e pandashme e ekipit deri në fund të edicionit”.
Janjeva të dielën do të debutojë me fanellën e Kamzës, ndërsa ekipit do t’i bashkohet një ditë më herët për të pasur të paktën një stërvitje. Menjëherë pas ndeshjes, do të kthehet në Prizren për t’u stërvitur me Ponten. Ai do të veprojë në të njëjtën mënyrë deri në paraqitjen e katërt në kampionatin e Shqipërisë.
“Ai do të shkojë të stërvitet para ndeshjes, do ta luajë ndeshjen dhe do të kthehet për ta vazhduar punën me ekipin tonë. Pra, ai pjesën më të madhe të kohës do të jetë te ne për shkak se duam që të integrohet më shpejt në sistemin e lojës dhe të jetë gati për debutim pas një muaji”, shtoi Rifati. “Me huazimin te Kamza ne po e ndihmojë këtë ekip, por edhe ai po na ndihmon. Vendorët në Kosovë vetëm këtë mundësi e kanë, ndërsa prej këtij stinori njëjtë veprohet edhe më të huajt e që më parë nuk ishte kështu”.
Kjo nuk është hera e parë që Ponte Prizreni e shfrytëzon këtë rregullore. Edhe sezonin e shkuar veproi njëjtë, por me Altin Morinën. Morina u largua në fillim të vitit nga Rahoveci dhe iu bashkua Pontes, por u huazua te Besëlidhja në Shqipëri ku i regjistroi katër paraqitje.
“Edhe vitin e kaluar këtë sistem e kemi përdorur me Altin Morinën. Vendorët mund të luajnë në cilindo vend, vetëm të jetë jashtë Kosovës për katër ndeshje”, tha Rifati, i cili tha se me angazhimin e Janjevës, synimet e Pontes janë rritur këtë edicion. “Transferimi i Janjevës ishte i rastësishëm pasi ai papritur ka shkëputur kontratën me Prishtinën. Me Janjevën mund të them se jemi favoritët kryesor për secilin trofe këtë edicion”.
Janjeva këtë edicion ka regjistruar vetëm një paraqitje për Prishtinën, ndërsa sezonin e kaluar luajti me mesatare prej 8.4 pikëve, 5.4 kërcimeve dhe 2.8 asistimeve për ndeshje..koha.net/