Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten për rialokim të tre milionë eurove për blerjen e barnave deri në fund të vitit, pasi Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i kishin mbetur në konto vetëm 150 mijë euro të pashpenzuara për furnizim me barna e materiale shpenzuese deri më 1 janar 2023.
KOHA ditë më parë raportoi për rrezikun për përballje me kaos në shëndetësinë publike për shkak të mungesës së mundshme të barnave. E gjithë sasia e një lloj bari për trajtimin e kancerit, e planifikuar për sivjet, ishte shpenzuar ende pa hyrë në tetor. Pacientët nisën të kërkonin fonde nëpërmjet apeleve publike për t’i blerë vetë barnat që duhet t’ua sigurojë shteti.
Për 9 muaj sivjet, SHSKUK-ja ka shpenzuar rreth 24 milionë euro.