LAJME

82% është mbulueshmëria me vaksinën kundër fruthit në Kosovë, IKShPK thirrje prindërve për vaksinim të fëmijëve

82% është mbulueshmëria me vaksinën kundër fruthit në Kosovë, IKShPK thirrje prindërve për vaksinim të fëmijëve
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Maj 2026, 10:03

Falë vaksinimit, Kosova kishte qenë një ndër shtetet shembull në rajon sa i përket rasteve të prekura me fruth. Sipas të dhënave, në vitin 2019, Kosova kishte 95% mbulueshmëri me vaksinën kundër fruthit.

7 vite pas mbulueshmëria me vaksinën kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës (MMR) për dozën e parë ka rënë në 82%.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) thotë se mbulueshmëria me dozën e parë të vaksinës MMR ende nuk ka arritur nivelin e nevojshëm për imunitet kolektiv.

Ndërkaq mbulueshmëria për dozën e dytë të kësaj vaksine e cila jepet tek fëmijët e moshës 5–6 vjeç është 94%.

Më 06.05.2026, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Vera Berisha Ndrejaj tha se një nga tetë rastet të prekura me fruth në Kosovë është duke u trajtuar në mjekim intensiv për shkak të komplikimeve të rënda.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) kishte njoftuar se të gjitha rastet e konfirmuara me fruth janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).

Nga ky institucion u kanë bë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinën MMR menjëherë pas mbushjes së vitit të parë të jetës.

IKShPK ka theksuar se prindërit që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur t’i vaksinojnë fëmijët me kohë siç parashihet në kalendarin e rregullt të vaksinimit, të paraqiten sa më parë në qendrën më të afërt të vaksinimit për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.

Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë.

Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.

Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet. Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika