Saktësisht 77 mjekë e kanë lëshuar Kosovën që nga janari i sivjetmë, kanë konfirmuar të martën në Odën e Mjekëve.
Gjatë së njëjtës periudhë kohore në 2023-tën, gjithsej 110 mjekë u pajisen me certifikata të së kaluarës etike, e cila merret para largimit për në vende të Perëndimit.
Në Odën e Mjekëve listuan disa nga arsyet e largimit të profesionistëve shëndetësorë.
“Zakonisht mjekët që kërkojnë certifikata mbi të kaluarën etike dhe profesionale, thonë se shkojnë në Gjermani dhe në Zvicër. 85% e mjekëve të cilët i kanë tërhequr certifikatat e së kaluarës etike kanë deklaruar se arsyet e ikjes janë: 1. Mungesa e punësimit; 2. Kushtet jo të mira të punës; 3. Paga e ulët; dhe 4. Mungesa e ofrimit të shkollimit të vazhdueshëm profesional”, thuhet në një përgjigje të Odës së Mjekëve.
Situatë e ngjashme qëndron edhe me infermierët. Në Odën e këtyre profesionistëve shëndetësorë treguan se që nga janari kanë pranuar gjithsej 95 kërkesa për vërtetim të së kaluarës etike dhe profesionale, si dhe 277 licenca, si dokumente që u kërkohet anëtarëve me rastin e aplikimit në ambasada.
Ky numër është më i vogël krahasuar me vitin e shkuar.
“Arsyet e largimit janë të ndryshme. Kryesisht janë këto arsye të largimit të infermierëve nga Kosova: Arsyet financiare – paga shumë më të larta në vendet ku shpërngulen. Cilësia më e mirë e jetesës në vendin ku emigrojnë. Siguria dhe kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen etj.”, thuhet në një përgjigje të Odës së Infermierëve. “Duhet potencuar se ne kemi një ligj që megjithatë nuk i trajton të gjitha kategoritë e profesionistëve shëndetësorë sipas nivelit të shkollimit dhe përgatitjes profesionale. Kjo ka bërë që të ketë pakënaqësi mes komunitetit infermieror dhe të ndikojë po ashtu në largimin e tyre nga Kosova”.
Çështja e “ikjes së trurit” është diskutuar edhe në takimin që anëtarët e Komisionit parlamentar për Shëndetësi patën me deputetë të Parlamentit gjerman.
“Dëshira jonë mbetet që mjekët tanë të përfitojnë nga avancimet në mjekësi në shtetin tuaj dhe këto përvoja t’i sjellin në vendin e tyre. Pra, qëllimi ynë është që ata të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në vendin tonë”, ka thënë Fatmire Kollçaku, deputete e LVV-së.
E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, shtroi nevojën për marrëveshje.
“Mënyra e këtyre lëvizjeve ndoshta do të ishte më e kapshme nëse dy shtetet tona, nuk po them vetëm dy parlamentet, por dy qeveritë kanë marrëveshje konkrete dhe të qarta sa i përket mbulueshmërisë së këtij sektori”, ka thënë ai.
Ndërkaq deputeti gjerman, Carl-Julius Cronenberg, theksoi se arsyet për largimin e mjekëve lidhen me Kosovën.
“Nuk është pse Gjermania është atraktive për profesionistët shëndetësorë, por që Kosova ka nevojë për një sistem solid shëndetësor, duke nisur nga sigurimet shëndetësore, dhe çka mund të bëhet është një bashkëpunim më i madh ndërmjet klinikave të të dyja vendeve. Gjermania ka interes ta shohë Kosovën në Bashkimin Evropian, për ta pasur më të lehtë bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve”, ka thënë Cronenberg.
Sipas dhënave të Odës së Mjekëve e edhe asaj të Infermierëve, gjatë viti 2023 janë larguar nga Kosova 155 mjekë dhe 116 infermierë.