Organizata Joqeveritare “Aktiv”, ka publikuar raportin “Analiza e trendit të qëndrimeve të komunitetit serb në Kosovë”.
Sipas këtij raporti 70% e serbëve në Kosovë konsiderojnë se nga akterët ndërkombëtarë, Rusia është mbrojtësi më i mirë i interesave të komunitetit serb në Kosovë.
Sipas hulumtimit, vetëm 4% e tyre mbështesin idenë e ndryshimit të kufijve.
Sipas hulumtimit që të hënën është prezantuar në Prishtinë, 53% e të anketuarve kanë qëndrim negativ ndaj Bashkimit Evropian.
67 % e të anketuarve janë deklaruar se në Kosovë nuk ka parti apo politikanë të cilëve u besojnë.
Sipas hulumtimit 55% e të anketuarve konsiderojnë se në tri vitet e ardhshme jeta e serbëve në Kosovë do të përkeqësohet derisa vetëm 7% e tyre mendojnë që situata në Kosovë është duke shkuar në drejtimin e duhur.“Të dhënat nga hulumtimi i këtij viti tregojnë se kënaqëshmëria me gjendjen aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë është shumë e ulët. Krahasuar me hulumtimet e vitit 2020 dhe 2021, vërehet një rënie shtesë e kënaqëshmërisë lidhur me gjendjen materiale të të anketuarve”, thuhet në raport.