Edita Haxhiu, shefe e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), ka thënë se deri më tani, 65% e personave mbi 16 vjeç në Kosovë janë vaksinuar kundër COVID-19.
Haxhiu, ka thënë se vaksinimi anti-COVID në Kosovë ka qenë një sfidë e madhe, dhe se duhet të vazhdohet puna për imunizimi e secilit person të cilit i takon ta marrë vaksinën, në mënyrë që të mbizotërohet pandemia.
Sipas saj, e vetmja mënyrë për ta mbizotëruar pandeminë është vaksinimi, bashkë me masat tjera.
“Deri tani janë vaksinuar 65% së paku me një dozë të moshës mbi 16 vjeç. Ka qenë një sfidë e madhe të vaksinohet kjo pjesë e popullatës. Tani ne duhet të punojmë që të vaksinojmë secilin person të cilit i takon me marr vaksinën që ta mbizotërojmë pandeminë. E vetmja mënyra për ta mbizotëruar pandeminë është vaksinimi, përveç masave”, ka thënë Haxhiu në “60 Minuta” të KTV-së.
Ajo ka folur edhe lidhur me rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve, duke thënë se virusi i sulmon edhe këtë pjesë të shoqërisë.
Ndërkaq, duke folur për vaksinimin e rregullt të fëmijëve, Haxhiu ka thënë se në Kosovë vetëm 5% e fëmijëve janë të pavaksinuar.
“Fatmirësisht në Kosovë secili prind e ndjen nevojën për ta vaksinuar fëmijën e vet. Në Kosovë vetëm 5% e fëmijëve janë të pavaksinuar me vaksinat e rregullta. Është një numër i vogël i prindërve të cilët hezitojnë mirëpo jemi të kënaqur me vaksinimin e fëmijëve në Kosovë”, është shprehur Haxhiu.