Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka thënë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, diaspora ka dërguar në Kosovë rreth 635 milionë euro remitanca, duke shënuar rritje prej 13%, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2022.
Sipas një raporti të BQK-së, remitancat kryesisht vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian, rreth 60% e tyre, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1% dhe ndiqet nga Zvicra me 17.6% dhe SHBA rreth 7.5%.
Sipas vlerësimeve preliminare për muajin korrik remitancat për muajin korrik ishin rreth 116.8 milionë euro.
Po ashtu bëhet e ditur se në muajin qershor 2023 remitancat arritën në 123.9 milionë euro, duke paraqitur rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2022.
Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës janë edhe të dhëna të tjera, si asetet e institucioneve financiare (jo bankat); asetet e fondeve pensionale; si dhe asetet e kompanive të sigurimit.
Sipas raportit, asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë arritën vlerën 455.4 milion euro, me një rritje prej 8.1 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
“Bruto kreditë e ndërmjetëseve tjerë financiar shënuan vlerën për rreth 328.6 milion euro në korrik 2023, rritje për 7 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e kredive të aktivitetit të sektorit financiar. Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63% të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar” – thuhet në raport.
Kurse asetet e Fondeve Pensionale, bën të ditur BQK-ja, arritën vlerën prej 2.6 miliardë euro, e cila po ashtu përfaqëson një rritje, konkretisht prej 66.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Raporti thotë se struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbëjnë 76.4%. të gjithsej aseteve. Vlera e tyre në korrik 2023, sipas raportit, ka arritur në 1.99 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 225.4 miilionë euro krahasuar me muajin paraprak.
“Kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes së investimeve jashtë vendit, por njëkohësisht është vërejtur se ka pasur rritje të përformancës së letrave me vlerë ekzistuese të cilat janë investuara me herët” – thotë BQK-ja.
Në anën tjetër, asetet e kompanive të sigurimit, sipas raportit, arritën vlerën 296.3 milion euro, e cila sipas BQK-së, përfaqëson një rënie prej 2.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
Raportin e plotë të BQK-së mund ta gjeni KËTU.