Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë Euro grante dhe kredi dhe synon të sjellë përfitime për vendet e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit në BE, u prezantua në fundjavë në ministerialin e Shkupit.
Plani i ri, i deklarua më parë edhe në Tiranë, synon nxitjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe BE.
Ministrat e Financave dhe Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor, Kryenegociatorët, përfaqësues të Bashkimit Evropian, diskutuan mbi mundësitë për të maksimizuar përfitimet nga Plani i ri i Rritjes.
Në emër të qeverisë shqiptare, ministri Ervin Mete shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për Planin e ri të Rritjes, si e vlerësoi këtë si “një mbështetje që vjen në një moment kritik për rajonin dhe Evropën”.
“Fokusi i reformave të mëtejshme duhet të ketë një qasje në drejtim të biznesit, në mënyrë që të lehtësohet mënyra e të bërit biznesit dhe të përmirësohet klima e biznesit, të mundësohet aksesimi i tregut të Bashkimit Evropian përpara së të ndodhë integrimi, të përshpejtohet procesi i integrimit dhe konvergjenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të tregohen të afta për të përdorur më së miri instrumentet që do të ofrohen nga Plani i ri i Rritjes dhe të forcojnë kapacitetet e tyre institucionale përthithëse” tha Mete.
Pjesëmarrëse në Ministerial ishte dhe Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
“Plani i ri i Rritjes është një platformë kyçe, që do të nxisë më tej agjendën e reformave, e cila në Shqipëri është në linjë me kërkesat e BE për anëtarësimin dhe Planin e ri të Rritjes. Shqipëria shpreh angazhimin për rritjen e përpjekjeve për të përshpejtua ritmin e reformave kombëtare”, deklaroi Dhuka.
Ka qenë takimi i dhjetë i Forumit të Procesit të Berlinit, zhvilluar në kryeqytetin shqiptar, që solli një fokusim në ndryshimin e strategjisë së Bashkimit Evropian në arritjen e integrimit ekonomik rajonal.
BE ka përdorur më shumë se 16 miliardë euro të Programit të BE për Ballkanin Perëndimor, nga 30 miliardë euro të planifikuara. Plani i ri i rritjes nga BE, është një stimul që hap dyert, por kërkon edhe hapjen e mëtejshme të kufijve brenda BP, duke kryer reformat dhe marrë investime.
Ballkani Perëndimor mbetet ende pas pjesës tjetër të Evropës, me një të ardhur mesatare për frymë prej vetëm 7,650 dollarë, vetëm 14 për qind e mesatares së BE-së (54,100 dollarë), sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar./rtsh/