Yll Buleshkaj, udhëheqës i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka thënë se sivjet për deklarim të pasurisë 59 raste janë dërguar në Prokurori. Sipas tij, ka pasur dyfishim të regjistrimit të deklarimit të pasurisë. Ka thënë se mbi 10 mijë zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë.
Në një konferencë për media të mërkurën, Buleshkaj ka thënë se Agjencia ka evituar 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla.Ai ka sqaruar se kontrolli i pasurisë do të bëhet për mbi 4 mijë subjekte, proces ky të cilin premtoi se do ta përmbyllin në fillim të vitit të ardhshëm.
Buleshkaj ka thënë se rritje ka pasur edhe te rastet e sinjalizimeve të jashtme. Siç ka thënë ai, 19 raste janë të paraqitura si sinjalizime të jashtme, e dy prej tyre përcjellë në Prokurori. “Në vlerësimin kundër korrupsionit u shqyrtuan 66 raste ku 59 prej tyre janë dërguar në prokurori, 7 kanë përfunduar. Gjatë 2023, Agjencia evitoi 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla”, ka thënë ai.