Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, ka bërë të ditur se 51 persona kanë vdekur dhe mbi 100 janë lënduar si pasojë e zjarrit që ndodhi në orët e hershme të së dielës në Koçan.
Në konferencë për media ai ka thënë se ekipet mjekësore janë mobilizuar në gjithë vendin për t’u ofruar ndihmë mjekësore të lënduarve.
Zjarri thuhet se nisi si pasojë e fishekzjarreve që u ndezën brenda diskotekës. Raportohet se në diskotekë ishin afro 1500 persona.
“Zjarri ka shpërthyer nga mjetet piroteknike që janë përdorur në koncert. Për një periudhë të shkurtër kanë arritur edhe ekipe mjekësore edhe nga qytetet e tjera të afërta dhe helikopteri me te cilin janë bartur të plagosurit. Kanë humbur jetën 51 persona, më tepër se 100 janë lënduar dhe janë dërguar nëpër spitale në Shtip dhe Shkup”, tha Toshkovski.
Toshkovski gjithashtu njoftoi se trupat e viktimave do të dërgohen në Shkup për obduksion. Ndërkohë që u shpreh i prerë se përgjegjësit e kësaj tragjedie, përshi dhe organizatorët do të përballen me organet e drejtësisë.
“Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Publike dhe me të gjitha organet tjera, po punojmë hap pas hapi për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie”, tha Toshkovski duke shtuar se të gjithë duhet të bartim përgjegjësi morale./KOHA/