LAJME

500 raste të reja me kancer për tre muaj në Kosovë

500 raste të reja me kancer për tre muaj në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Mars 2026, 16:16

Klinika e Onkologjisë ka bërë të ditur se numri i rasteve me sëmundje malinje në vend mbetet relativisht i qëndrueshëm ndër vite.

Sipas njoftimit, në Kosovë regjistrohen mesatarisht rreth 2100 raste të reja në vit, një shifër që konsiderohet e menaxhueshme në baza mujore nga institucionet shëndetësore.

Vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars 2026, në këtë klinikë janë pranuar dhe trajtuar për herë të parë rreth 500 pacientë, të cilët kanë kaluar nëpër të gjitha fazat e ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit.

“Këto të dhëna tregojnë një situatë të qëndrueshme dhe të monitoruar me kujdes nga profesionistët shëndetësorë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se incidenca e këtyre sëmundjeve në Kosovë mbetet më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit.

Nga Klinika e Onkologjisë theksohet se po punohet vazhdimisht për avancimin e shërbimeve, me fokus në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimet moderne.

“Klinika edhe më tej do të punojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta”, thuhet më tej në komunikatë.

Institucioni apelon për kontrolle të rregullta, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika