Krismat e mjeteve piroteknike kanë nisur prej ditësh, por një numër komunash kanë marrë vendim që ta ndalojnë edhe shitjen e edhe përdorimin e tyre, përpara natës së Vitit të Ri. Deri më tash, rreth 50 tonë mjete piroteknike kanë hyrë në kufi.
Këtë vit janë importuar 476 mijë kilogramë mjete piroteknike në Kosovë, pothuajse që të gjitha nga Kina.
Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, sasia është për 50 mijë kilogramë më e lartë sesa një vit më parë. Nga Kina janë importuar 441,909 kilogramë mjete piroteknikë në vlerë prej 686,733 eurosh, ndërsa nga Shqipëria 33.760 kilogramë apo 180.400 euro, kanë treguar të dhënat e Doganës.
Krismat e mjeteve piroteknike kanë nisur prej ditësh, porse një numër komunash kanë marrë vendime për ta ndaluar edhe shitjen e edhe përdorimin e tyre, përpara natës së Vitit të Ri.
Komuna e Ferizajt është njëra prej tyre.
Zëdhënësi i kësaj komune, Selim Marevci, ka thënë se nga e enjtja ka nisur zbatimi i këtij vendimi.
“Kryetari Aliu ka marrë vendime që gjithmonë në fundvit, sa i përket shitjes dhe mënyrës së përdorimit të këtyre mjeteve piroteknike. Si Komunë e Ferizajt e kemi pasur ditën e fundit që të lejohet blerja dhe shitja e këtyre mjeteve piroteknike, mirëpo që do të respektojmë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se do të shqiptohen gjoba për ata që nuk e respektojnë këtë vendim”, ka thënë Marevci.
Paraprakisht, vendim të ngjashëm kanë marrë edhe komuna të tjera.
Mirjeta Duraku, zëdhënëse e Komunës së Vushtrrisë, ka thënë se ndezja e fishekzjarrëve është ndaluar në zona të banuara.
“Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka nxjerrë një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, përmes së cilës ndalohet ndezja e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht zona të banuara, rrugë, trotuare, sheshe, tregje e të tjera, në qytetin e Vushtrrisë”, ka theksuar ajo.
Vendim të njëjtë ka marrë edhe Komuna e Rahovecit. Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka njoftuar të mërkurën se do të zbatohen gjoba për të gjithë ata që e shkelin vendimin.
“Për sigurinë dhe qetësinë tuaj gjatë festave të fundvitit, kam urdhëruar ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësirat publike. Zbatimi i këtij vendimi do të mbikëqyret nga inspektorët dhe Policia, ndërsa shkelësit do të ndëshkohen me gjobë prej 100 eurosh”, ka shkruar Latifi në rrjete sociale.
Gjobë prej 100 eurosh kanë zbatuar edhe në Komunën e Gjilanit, e cila përdorimin e mjeteve piroteknike e ka ndaluar nga 20 dhjetori i 2024-tës deri më 3 janar të 2025-tës.
E Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ditë më parë ka marrë vendim që përdorimi i fishekzjarrëve të lejohet vetëm pas datës 26 dhjetor. Sipas vendimit, shkelja mund të sjellë gjoba në lartësi deri në 500 euro.
Autoritetet kanë rikujtuar se prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike është i ndaluar dhe se ndëshkohet sipas ligjit./KOHA/