Arsyet ekonomike vazhdojnë të shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi. Është bërë e ditur se gjatë vitit 2019, më shumë se 47 mijë persona janë larguar nga vendi në emigrim, raportoi INSTAT.
Duhet theksuar se numri i emigrantëve të rinj e zgjeroi diasporën shqiptare me 2.6% vetëm në një vit, teksa totali i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit arriti në gati 1.7 milionë persona (1.684.135). Teksa demografët prisnin që emigracioni të stabilizohej pas dy dekadave të para të tranzicionit, në fakt zhvillimet kanë shkuar në të kundërtën, duke reflektuar thellimin e fenomenit. Me krizën ekonomike të vitit 2008, heqjen e vizave më 2011 dhe mungesën e prosperitetit ekonomik, një valë e re emigracioni u rikthye fuqishëm më 2015, ku rreth 69 mijë shqiptare aplikuan për azil në vendet anëtare të BE-së.
Po ashtu, INSTAT ka zbuluar se numri i individëve gjithsej të larguar nga Shqipëria, në periudhën 2011 – 2019 rezulton 360.699 banorë, ose rreth 12,4% e popullsisë gjithsej të vitit 2011. Arsyet ekonomike vazhdojnë të shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi. Sipas Anketës së Forcës së Punës, 2019, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” me 83,7%. Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Europës, nga ana tjetër, statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Europës.
Nga ana tjetër, vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptarë, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe. Emigrimi në dekadën e fundit shënonte: 56% meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51% meshkuj në Itali. Emigrimi në Gjermani ende ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët e fëmijëve. Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese e migrimit familjar.
Të dhënat e Anketës së Komunitetit Amerikan për vitin 2019 tregojnë që shqiptarë të gjeneratës se parë në vitin 2019 janë 99.370 persona, ndërsa gjenerata e dytë është 115.587, me një total prej 214.957 shqiptarë që jetojnë në SHBA. Referuar të dhënave të censeve të vendeve europiane destinacion të emigrantëve shqiptarë, rreth 39,0% e shtetasve shqiptarë janë të punësuar, 10,1% të papunë dhe pjesa tjetër inaktivë.
Meshkujt karakterizohen nga një normë më e lartë punësimi se sa femrat. Shpërndarja e statusit të punësimit sipas shteteve – më shumë të punësuar raportohen në Britani, Norvegji dhe Danimarkë. Për sa u përket shtetasve të punësuara femra ato shënojnë përqindjen më të lartë në Poloni. Migrimi ndërkombëtar ka qenë një forcë e madhe në ndryshimin e popullsisë në dy dekadat e fundit. Arsyeja kryesore për rënien e popullsisë në dy Censet e fundit ishte emigrimi në shkallë të gjerë i qytetarëve shqiptarë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, migrimi përfshin veçanërisht të rinjtë, të cilët migrojnë për arsye punësimi, mundësi arsimimi dhe arsye familjare.