Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve A.B., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas aktakuzës, më datë 16.07.2025, në Prizren, të pandehurit A.B., dhe E.Sh., duke vepruar në bashkëkryerje dhe pa autorizim, shpërndajnë dhe ofrojnë për shitje substanca narkotike të llojit ‘marihuanë’ të siguruara përmes rrugëve ilegale. I pandehuri E.Sh., duke përdorur veturën e tij, shkon në shtëpinë e A.B., i njëjti merr një çantë të zezë me 18 qese me narkotikë të llojit ‘marihuanë’ dhe më pas takohen me L.K., dhe E.K., dhe i shesin atyre sasi të narkotikëve. Pas kryerjes së shitblerjes, policia ka reaguar dhe ka ndaluar të pandehurit në flagrancë. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, i pandehuri A.B., ka hedhur në tokë çantën e zezë, e cila përmbante 18 qese najloni me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë 60.97 gram. Gjithashtu, gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit A.B., janë sekuestruar shtatëdhjetë e tetë (78) qese najloni me substancë të dyshuar narkotike, të cilat, pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, kanë rezultuar të jenë të llojit “marihuanë”, me peshë totale prej 2 kg”, thuhet në njoftim.





