LAJME

Hoti përcjell paralajmërimet e FMN-së: Rënie ekonomike, inflacion në rritje dhe rreziqe fiskale

Hoti përcjell paralajmërimet e FMN-së: Rënie ekonomike, inflacion në rritje dhe rreziqe fiskale
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shkurt 2026, 10:41

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas përmbylljes së misionit dyjavor mbikëqyrës të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, duke vlerësuar se gjetjet e këtij institucioni ndërkombëtar konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej tij për menaxhimin makroekonomik dhe fiskal në vend.

Hoti thekson se këto vërejtje pasqyrojnë, sipas tij, mungesën e investimeve publike në vitet e fundit, veçanërisht në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, duke lënë projekte kapitale të papërfunduara dhe duke kufizuar potencialin e rritjes ekonomike.

Ai vlerëson se mungesa e politikave të mirëfillta fiskale dhe industriale ka ndikuar në ngecjen e prodhimit vendor, ndërsa rritja e konsumit është mbuluar kryesisht nga importet, të cilat sipas tij janë dyfishuar në katër vitet e fundit, duke arritur në rreth 7 miliardë euro.

Sipas deputetit, mospërshtatja e pagave, pensioneve dhe skemave sociale me inflacionin ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa subvencionet e vonuara për bujqit dhe normat e larta të interesit nga institucionet mikrofinanciare rëndojnë më tej ekonominë familjare dhe sektorin e bujqësisë.

Në reagimin e tij, Hoti kritikon edhe paralajmërimin e qeverisë së re për përgatitjen e një ligji për vendosjen e çmimeve tavan për produkte të caktuara. Sipas tij, përveç tregjeve të monopolizuara si energjia, uji apo transporti hekurudhor, ndërhyrjet administrative në çmime nuk përbëjnë zgjidhje për inflacionin.

Ai argumenton se çmimet mund të mbahen të moderuara përmes uljes së kostove të prodhimit, transportit dhe tatimeve, si dhe përmes politikave industriale që mbështesin prodhuesit vendorë.

Në përfundim, Hoti shpreh skepticizëm se do të ketë reflektim nga qeveria aktuale, duke theksuar se politikat fiskale dhe industriale kërkojnë ekspertizë dhe orientim të qartë drejt zhvillimit të ekonomisë së tregut.

Më 13 shkurt 2026, misioni i FMN-së nga Uashingtoni përfundoi vizitën në kuadër të konsultimeve sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së, që parasheh mbikëqyrjen e rregullt të politikave ekonomike dhe financiare të vendeve anëtare me qëllim ruajtjen e stabilitetit monetar global. Që nga anëtarësimi i Kosovës në FMN në vitin 2009, misione të tilla janë zhvilluar në mënyrë periodike.

Rënie e rritjes ekonomike dhe rritje e inflacionit

Sipas deklaratës përmbyllëse të misionit, rritja ekonomike në Kosovë ka rënë në 3.25 për qind në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, nga 4.75 për qind sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraprak. FMN-ja e lidh këtë ngadalësim me dobësimin e konsumit dhe investimeve private, si pasojë e ngadalësimit të kreditimit dhe rënies së të ardhurave reale. Për vitin 2026, rritja pritet të arrijë në 3.8 për qind, me tendencë konvergjimi drejt normës potenciale prej 4 për qind.

Në të njëjtën kohë, inflacioni ka shënuar rritje të ndjeshme. Në dhjetor 2025 ai arriti në 5.25 për qind, krahasuar me 1.1 për qind një vit më parë, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të ushqimeve.

Thellim i deficitit dhe rritje e ekspozimit financiar

FMN-ja ka vërejtur përkeqësim të bilancit tregtar, si rezultat i rritjes së importeve, veçanërisht të energjisë. Si pasojë, deficiti i llogarisë rrjedhëse është zgjeruar në 9.6 për qind të Bruto Produktit Vendor, nga 8.4 për qind në vitin 2024.

Ndërkohë, kreditë bankare kanë arritur në rreth 60 për qind të BPV-së, një nga nivelet më të larta në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim. FMN-ja rekomandon mbikëqyrje të shtuar, sidomos për ekspozimin e bankave ndaj sektorit të patundshmërive.

Po ashtu, është kërkuar forcim i mbikëqyrjes së institucioneve mikrofinanciare, me qëllim ruajtjen e integritetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Rekomandime për paga dhe shpenzime publike

Sa i përket politikave të brendshme, FMN-ja sugjeron që pagat në sektorin publik të ndërlidhen me normën e inflacionit, ndërsa paga minimale të përcaktohet duke balancuar produktivitetin dhe koston e jetesës. Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i mundësive për kursime në shpenzimet për mallra dhe shërbime.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika