LAJME

313 fëmijë nga familjet në asistencë sociale përfitojnë nga Programi i Kuponëve për edukimin e hershëm

313 fëmijë nga familjet në asistencë sociale përfitojnë nga Programi i Kuponëve për edukimin e hershëm
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Dhjetor 2025, 17:15

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve që janë pjesë e Skemës së Asistencës Sociale.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë fazë të zbatimit të programit janë përzgjedhur 313 fëmijë, të cilët do të përfitojnë mbështetje për ndjekjen e institucioneve private të licencuara të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme. Programi përfshin edhe mbulimin e shpenzimeve të transportit, në rastet kur plotësohen kriteret e përcaktuara.

MASHTI bën të ditur se përzgjedhja e përfituesve është realizuar përmes një sistemi të automatizuar të rastësishëm, në përputhje me Udhëzuesin e Programit, duke garantuar transparencë dhe paanshmëri për të gjithë aplikuesit. Pas përzgjedhjes automatike, Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve ka kryer verifikimin e dokumentacionit dhe të dhënave të dorëzuara.

Familjet aplikuese do të njoftohen individualisht përmes platformës e-Kosova. Të gjitha familjet do të pranojnë SMS njoftues, ndërsa familjet përfituese do të marrin dokumentin zyrtar të kuponit në llogarinë e tyre në e-Kosova.

Ndërkohë, familjet që kanë ankesa apo paqartësi lidhur me vendimin kanë të drejtë t’i paraqesin ato pranë Komisionit të Ankesave të MASHTI-t, përmes platformës e-Kosova ose përmes emailit ankesa.kuponat@rks-gov.net brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga data e marrjes së vendimit fillestar.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika