Brenda pesë muajve të parë të vitit Kosova i ka pritur gjithsej 306 mijë e 447 vizitorë të huaj, prej tyre më së shumit janë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
Kurse, qytetet që frekuentohen më së shumti janë Prizreni, Prishtina, Peja dhe Gjakova.
Sipas përgjigjeve me shkrim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Prizreni kryeson listën e vendeve më të dëshiruara për të huajt, Prishtina mbetet pika kryesore hyrëse për turistët ndërkombëtarë, Peja vazhdon të jetë një nga qendrat kryesore të turizmit malor e aventurës, për të përfunduar në Gjakovën e njohur për Çarshinë e Madhe.
“Destinacionet dhe qytetet më të vizituara nga turistët e huaj në Kosovë janë: Prizren – Destinacioni më i njohur turistik, i vizituar për qendrën historike, kalanë, xhamitë, kishat, festivalin DokuFest dhe trashëgiminë kulturore etj. Prishtinë – Kryeqyteti është pika kryesore hyrëse për turistët ndërkombëtarë. Atraksionet përfshijnë Monumenti NEW BORN, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Katedralja Shën Nënë Tereza etj. Pejë – Një nga qendrat kryesore të turizmit malor dhe aventurës. Vizitorët tërhiqen nga Gryka e Rugovës, Ujëvara e Drinit të Bardhë dhe Patriarkana e Pejës etj. Gjakovë – E njohur për Çarshia e Madhe, arkitekturën tradicionale dhe trashëgiminë kulturore etj”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.
Kjo ministri ka potencuar se rajonet e Prishtinë dhe Pejë regjistrojnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj.
“Sipas të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, rajonet e Prishtinë dhe Pejë regjistrojnë numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve turistike, ndërsa Prizren mbetet destinacioni më i njohur për turizmin kulturor”, thuhet në përgjigjen për agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Udhërrëfyesi turistik, Muhamer Hasani tha se turistëve i’u pëlqen pothuajse gjithçka në Kosovë edhe pse shton se fillimisht kanë një lloj paragjykimi për shkak të keqinformimit.
“Ajo se çfarë i pëlqen turistëve ose mysafirëve në Kosovë është pothuajse gjithçka. Domethënë duke filluar prej mënyrës së jetesës, prej kaosit, prej ushqimit, edhe prej zhurmës domethënë të qyteteve të Kosovës, gjithçka i duket shumë e bukur. Njëra prej arsyeve është se një pjesë e madhe, domethënë, e njerëzve të cilët vijnë në Kosovë, kanë njëfarë paragjykimi ose kanë njëfarë keqinformimi, domethënë edhe ata vetë nuk e dinë se çka me prit, ose me çka kanë me u ballafaqu në Kosovë. Mirëpo, në 100 përqind të rasteve, të gjithë mysafirët, të cilët normal përcillen prej guidave lokale, kanë me u kthyer me përshtypjet më të mira”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, turistët brenda pak kohësh e shohin një realitet tjetër dhe kuptojnë se janë keqinformuar për Kosovën nga vendet fqinje që i kanë vizituar më parë.
“Një prej pyetjeve të para e cila bëhet është siguria, pastaj është çështja e raporteve të Kosovës me vendet e tjera fqinje. Mirëpo, në këtë rast brenda disa minutave, mos të thonë sekonda se ndoshta e ekzagjeroj shihet se nuk ka të bëjë asgjë me atë se çfarë kanë dëgjuar ose se çfarë iu është rekomanduar atyre. Sepse fatkeqësisht nganjëherë, kur musafirët vijnë në Kosovë, nëse veç i kanë vizituar disa prej vendeve fqinje, zakonisht tek ato vendet fqinje kanë me keqinformu për sigurinë në Kosovë. Tash është edhe shumë e thjeshtë për me e bë njëfarë demantimi të tillë, sepse në vitin 2000 domethënë në vitet e kaluara prej organizatave kredibile ndërkombëtare, Kosova është ranguar si njëra prej vendeve më të sigurta me u vizitu”, shtoi guida turistike.
Ai theksoi se gati të gjitha nacionalitetet vijnë për të vizituar Kosovën, duke konsideruar si më të veçantë faktin se po shtohen turistët nga Greqia dhe Rumania, që deri vonë ishin në numër më të pakët.
Ndërsa kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti ka deklaruar se rritja e turistëve në Kosovë është mjaft poz Siç tha ai, një turist në Kosovë brenda 24 orëve shpenzon rreth 150 euro e sipas tij, industria e turizmit është ajo që ndikon në ekonominë e vendit.
“Kjo është një lajm pozitiv, ku ne po shohim që edhe vitin 2025 kemi përmbyll me rritje të numrit të turistëve, por njëkohësisht edhe të gjithë muajt e vitit 2026 janë duke shënuar rritje. Nëse e kalkulojmë në vlerë buxhetore, atëherë një vizitor mesatarisht brenda 24 orëve në Kosovë shpenzon rreth 150 euro. Nëse kalkulojmë numrin e vizitorëve të cilët vijnë, atëherë industria e turizmit mund të themi që është një industri që ndikon në ekonominë e vendit dhe reflekton jashtëzakonisht shumë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Nëse krahasojmë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2025, kemi diku rreth mbi 248 milionë euro të hyra nga turistët e huaj të cilët e kanë vizituar Kosovën”, deklaroi Hoti.
Në vazhdimësi potencohet që Kosova ka potencial për turizmin, derisa i bëhet thirrje Qeverisë për më shumë investime.
Sipas ministrisë, turistët nga Shqipëria vijnë për shkak të afërsisë gjeografike, lidhjeve familjare dhe kulturore, derisa nga Gjermania një pjesë e madhe janë diaspora dhe vizitorë për biznes.
Edhe nga Zvicra janë kryesisht diasporë kosovare dhe vizitorë të lidhur me familjet. Kurse, vizitorët nga Turqia vijnë për turizëm kulturor, biznes dhe lidhje historike. /KSP/