Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S. që dyshohet se kanë kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Personat që u arrestuan ditë më parë ishin paraqitur si pelegrinë, e më pas u kuptua që njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, e një tjetër kapiten i ushtrisë serbe. E dy të tjerët u konfirmua në seancën e së hënës se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Atyre iu gjetën armë të ftohta dhe një sëpatë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 5 prill 2025 dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore. /koha.net/