Sot bëhen 27 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademikut Fehmi Agani.
Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.
Me këtë rast, ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka kujtuar Aganin si njeri të urtë e të vendosur, i cili tërë jetën e tij, secilën ditë të saj, ia fali atdheut, dijes e vizionit për shtetin e pavarur.
“Personalitet i shquar i fundviteve ‘90, i konsideruar edhe si truri i lëvizjes sonë për pavarësi, prof. Agani kujtohet sot e përmot si njëra ndër mendjet më të ndritura të mendimit shqiptar, i cili i ndërthuri në mënyrë të rrallë urtësinë intelektuale dhe përkushtimin e palëkundur atdhetar. Si bashkëpunëtori më i afërt i prijësit tonë vizionar, Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ai dëshmoi thellësi të admirueshme duke i dhënë krah vizionit për të ardhmen e kombit. Butësia e sjelljes dhe fisnikëria njerëzore e bënin të veçantë, duke dëshmuar se forca e vërtetë qëndron në urtësi, durim dhe dinjitet. Lavdi veprës së profesorit tonë të urtë! I përjetshëm kujtimi për të!” – shkruan ndër tjerash Osmani.
Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 27 vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur. Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.