Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në 27-vjetorin e masakrës së kryer gjatë luftës në Kosovë.
Homazhet u mbajtën në nderim të 45 civilëve shqiptarë që u masakruan nga forcat paramilitare serbe, një krim që tronditi opinionin botëror dhe u bë i njohur falë dëshmisë së ambasadorit amerikan William Walker.
Walker, si çdo vit, ishte i pranishëm edhe këtë përvjetor për të nderuar viktimat e pafajshme.
Presidentja Osmani, pas homazheve tha se masakra e Reçakut ishte dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës të regjimit serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
Ajo theksoi se dhimbja për këtë krim mbetet ende e freskët, ndërsa drejtësia për Reçakun dhe krime të tjera të luftës vazhdon të mungojë.
“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë kujtojmë viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
Presidentja Osmani theksoi se themelet e shtetit të Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën kudo në botë.
“Sot gëzojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në shtetin tonë sovran falë sakrificës së martirëve të Reçakut dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë”, deklaroi Osmani.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Masakra e Reçakut ishte momenti që ndërgjegjësoi dhe mobilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Para 27 vjetëve këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker u jehua e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të kryer nga Serbia si shteti, ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësuan, vetëdijësuan, dhe u mobilizua opinioni publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore. Jemi këtu së bashku, si krerë të institucioneve, me kryetarin e komunës, me kolegë nga qeveria dhe parlamenti, si dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, për të shprehur dhembjen tonë për këtë plagë të hapur, të së cilës ende i mundon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë se gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit për t’i ndëshkuar ata për mizoritë para 27 vjetësh. Lavdi 45 martirëve Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku”, ka thënë Kurti./Telegrafi
