LAJME

OJQ ”04 Putroshat”, reagim kuvendarit, Petrit Hoxhaj, rreth kërkesës për largimin e qenve endacak nga qendra e Prizrenit

OJQ ”04 Putroshat”, reagim kuvendarit, Petrit Hoxhaj, rreth kërkesës për largimin e qenve endacak nga qendra e Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Maj 2023, 15:40

Organizata Joqeveritare “04 Putroshat“, e cila në menyrë vullnetare dhe të organizuar ushqen, trajton, dhe ndihmon në shërimin e kafshëve endacake në komunën e Prizrenit, përmes një komunikate për media i ka reaguar kuvendarit, Petrit Hoxhaj, pasi ky i fundit ditë më parë ka deponuar një kërkesë të nënshkruar nga 30 biznese që operojnë në sheshin Shatërvan, që të bëjnë zgjidhje për largimin e qenve endacak nga qendra e qytetit.

Reagimi i plotë:

”I nderuar kryetar, z. Shaqir Totaj,

I nderuar drejtor, z. Bexhat Bytyqi,

Duke uruar që kjo parashtresë t’iu gjejë mirë,

Ju njoftojmë se e kemi ndjekur me shqetësim të madh reagimin dhe kërkesën e anëtarit të asamblesë lokale të Prizrenit, z. Petrit Hoxhaj, parashtruar ndaj autoritetit tuaj, lidhur me zhvendosjen – largimin me forcë të qenve endacakë nga Sheshi ‘’Shatërvan’’ i Prizrenit.

Duke kundërshtuar në mënyrë kategorike kërkesën e asamblistit Hoxhaj, ju rikujtomë se çështja e qenve endacakë është çështje më komplekse sesa ç’parasheh asamblisti Hoxhaj. Thirrja e asamblistit Hoxhaj për zhvendosjen me forcë të qenve endacakë, as për së afërmi nuk ofron masë adekuate dhe aq më pak zgjidhje të problemit në fjalë. Në qoftë se prezenca e qenve endacakë në hapësirat publike të Sheshit ‘’Shatërvan’’ përbëka rrezik potencial për jetën dhe sigurinë e njerëzve siç pretendon ankuesi, atëherë ju sigurojmë se është pikërisht zhvendosja me forcë (kupto: ndryshimi i territorit) të qenve endacakë njëri nga faktorët kryesorë, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në acarimin e tyre. Pra, zhvendosja me forcë nuk paraqet zgjidhje, por përkundrazi, provokon acarimin e situatës.

Ju rikujtojmë se ndër të tjerash, propozimi i z. Hoxhaj për të ashtuquajturën zgjidhje të përkohshme, është në kundërshtim me mandatin dhe kompetencat e organizatës së veterinës të kontraktuar nga Komuna e Prizrenit, aq më tepër kur dhënia e ndihmës veterinare në mënyrë të pandërgjegjshme përbën vepër penale, e cila sanksionohet me nenin 343 të Kodit penal të Republikës së Kosovës. Duke qenë dëshmitarë për gjendjen aktualisht të mjerë të shëndetit të kafshëve në mbarë Komunën tonë, një thirrje e tillë cënon dhe shkatërron edhe atë pak ngritje të nivelit të mirëqenies së kafshëve për të cilën aktivistët e organizatës sonë së bashku me qytetarë të vullnetit të mirë kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve dhe nevojave për shëndetin e tyre. Pretendimi i ankuesit se disa pronarë biznesesh, aktualisht qenkan angazhuar në hartimin e një peticioni për largimin apo zhvendosjen me forcë të qenve endacakë në Sheshin ‘’Shatërvan’’, i rikujtojmë qytetarit Hoxhaj dhe jo vetëm, se asnjë person fizik e as juridik nuk mund të sillet si pronar i hapësirave publike të qytetit. Nuk ka njeri që gëzon të drejtë absolute mbi shfrytëzimin e hapësirave publike e aq më pak të sillet me logjikën e pronarit mesjetar.

Për kurreshtjen tuaj, organizata jonë për çdo ditë angazhohet në ofrimin e zgjidhjes më të mirë të qenve endacakë dhe ju sigurojmë se logjika dhe metodat me të cilat ankuesi kërkon të operohet, as për së afërmi nuk shërbejnë si recetë për zgjidhjen e çështjes në fjalë. Pretendimi i ankuesit se edhe turistët të cilët vizitojnë qytetin tonë, ndihen në rrezik nga prezenca e qenve në sheshin ‘’Shatërvan’’, është totalisht qesharak, ngase është pikërisht mendësia e tillë arkaike ajo, e cila tremb turistët dhe rezervon ata të vizitojnë qytetin tonë!

Derisa vendet e Perëndimit janë shembull se si të bashkëjetojmë me kafshët, i rikujtojmë ankuesit se të gjithë ne duhet ta shfrytëzojmë rastin që të shkëmbejmë përvoja me vendet e huaja se si të afrohemi me kafshët dhe jo t’i shporrim ata nga hapësirat publike.

Sigurojmë autoritetet kompetente të Komunës së Prizrenit, se jemi të gatshëm të japim propozimet tona konkrete lidhur me çështjen e qenve endacakë, jo vetëm në Sheshin ‘’Shatërvan’’ por në mbarë hapësirat publike të Komunës sonë. Apelojmë dhe ju lusim që kërkesa e asamblistit Hoxhaj të mos ju shërbejë si alternativë e aq më pak instrument se si të operohet me problematikën në fjalë, pasi që nuk përmban kurrfarë ekspertize adekuate.

Gjithashtu, e lusim sinqerisht asamblistin Hoxhaj, që si rezultat i mungesës së ekspertizës, të përmbahet nga diskursi i papërshtatshëm dhe narrativa e krijuar mbi trajtimin joadekuat të kafshëve, pasi që i njejti është figurë publike – përfaqësues i qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe se pesha e fjalës publike të tij manifestohet ndryshe në opinionin publik për dallim nga reagimet e qytetarëve të rëndomtë.”

Përzemërsisht,
OJQ – 04 Putroshat” kanë shkruar nga OJQ ”04 Putroshat”.

Edhe pse kjo shoqatë është formuar se fundmi, angazhimi dhe aktivitetet pritet të jenë më intenzive duke përfshi këtu edhe sigurimin e donacioneve të ndryshme, duke patur parasysh gjendjen e rëndë shëndetsore të kafshëve e sidomos të qenve në qytetin tonë, thojnë nga kjo organizatë.

Ndryshe, Organizata Joqeveritare “04 Putroshat” u themelua në muajin mars të këtij viti dhe vepron me vetëfinancim ku numëron mbi 20 anëtarë aktiv.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika