Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se mbrëmë, pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti u takua me komunitetin shqiptar e mërgatën tonë në Çikago.
Në komunikatë bëhet e ditur se në një bashkëbisedim të hapur dhe miqësor, kryeministri Kurti e prezantoi diasporën atje me punën e Qeverisë përgjatë këtij mandati, dyfishimin e eksporteve vendore dhe investimeve të huaja, forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe objektivat e mëtejme për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës.
Ndër to, thuhet se u veçua vëmendja në sektorë si teknologjia e informacionit, por edhe sektori i energjisë dhe tranzicioni drejt energjisë së ripërtërishme. U përmendën bursat për gratë dhe vajzat që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë); por edhe ankandi i parë i zhvilluar në vend për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në të cilin doli fitues një konzorcium me kompani nga Zvicra e Gjermania dhe diaspora jonë.






