Në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, me rastin e Ditës së Shën Luçisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Suedia ka qenë prej kohësh mike dhe partnere e Kosovës, miqësi dhe mbështetje kjo të cilën vendi ynë e vlerëson lart, njoftojnë nga Kuvendi.
Në kumtesën për media bëhet e ditur po ashtu se në prani të ambasadorit Jonas Westerlund, korit diplomatik të akredituar në Prishtinë, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe mysafirëve të shumtë, Konjufca tha se ndihet thellësisht i nderuar dhe i lumtur që gjendet në njërën nga festat më të dashura dhe simbolike të Suedisë, Ditën e Shën Luçisë.
“Jam i kënaqur që pavarësisht nga kulturat dhe traditat tona shumë të ndryshme, kjo ditë na bashkon të gjithëve pasi ndajmë vlerat e përbashkëta të dritës, shpresës dhe solidaritetit, të cilat të gjitha janë tema qendrore në kremtimin e Shën Luçisë. Ndërsa nderojmë traditat e pasura suedeze të Ditës së Shën Luçisë, le të marrim një moment për të vlerësuar ndjenjën e unitetit dhe solidaritetit që ushqejnë festime të tilla. Këto janë vlera që i kapërcejnë kufijtë dhe na afrojnë të gjithëve dhe është një mundësi për të riafirmuar angazhimin tonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë”, theksoi kryeparlamentari.








