Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda ka njoftuar se në fshatin Zlipotok të Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit. Viktima, i cili thuhet se ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes.
“Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale. I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.” – thuhet në njoftim.





