Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, derisa ka folur për çështjen e presidentit, ka thënë se partitë duhet të ulen e të dialogojnë.
Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, ajo ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të shkojë në zgjedhje. Por ka thënë se duhet të provohet të arrihet marrëveshje.
“Shkuarja në zgjedhje nuk është diçka specifike, normalisht, si parti jemi të gatshëm me shku në zgjedhje, por njëherë duhet të provohet të arrihet një marrëveshje, një president me integritet luan rolin e presidentit”, tha ajo.
Lushaku ka deklaruar se pjekuri politik është që partitë të ulen e të dialogojnë.
“Nuk kam një njësi matëse që e mat sinqeritetin e ndonjë partie politike. Është pjekuri politike nëse të gjitha partitë ulen dhe dialogojnë sa më shumë që është e mundur. Dialogu kërkohet për arritjen e çfarëdo marrëveshjeje, andaj mendoj që është pjekuri e partive politike që të ulen dhe të vijnë te zgjidhja me qëllim që të mos ketë ngërç institucional apo destabilizim të vendit ose shkuarje në zgjedhje”, tha ajo./EO