LAJME

Takimi në nivel kryenegociatorësh pas kushteve të vëna nga Kurti, skepticizëm për rezultate konkrete

Takimi në nivel kryenegociatorësh pas kushteve të vëna nga Kurti, skepticizëm për rezultate konkrete
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Korrik 2024, 17:21

Analistët politikë nuk presin rezultate konkrete nga takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Ata vlerësojnë se tri kushtet e kryeministrit Albin Kurti për normalizimin e marrëdhënieve mund të jenë më tepër për qëllime elektorale.

Ndonëse angazhimi i Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë u kushtëzua nga tri garanci që kryeministri Albin Kurti i kërkoi prej ndërmjetësve të Bashkimit Europian gjatë javës së kaluar, një takim në nivel kryenegociatorësh, me ndërmjetësim të emisarit Mirosllav Lajçak, megjithatë u planifikua që të mbahet të martën, më 02.07.2024.

Tri garancitë e Kurtit; nënshkrimi i marrëveshjes bazike për normalizimin e raporteve, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe dërguar shteteve anëtare të BE-së dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit, pasuan me mosmbajtjen e një takimi trelateral me ndërmjetësit dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këta të fundit, sipas ekzekutivit kosovar, nuk ishin të gatshëm t’i plotësonin këto kushte.

Për takimin në nivel kryenegociatorësh, në të cilin u paralajmërua se do të punohet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve, njohësit e politikës së jashtme nuk presin ndonjë rezultat konkret.

Teksa komenton takimin e sotëm, analisti politik dhe njohësi i çështjeve evropiane, Dritëro Arifi thotë se pavarësisht kushteve të Kurtit për presidentin serb, pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit Bislimi nuk e tejkalon takimin bilateral mes Kosovës dhe BE-së. Ai shton se mes këtyre dy të fundit, nuk duhet të ketë ksuhte.

Arifi konsideron se nëse Bislimi takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, atëherë kushtet e Kurtit “janë për mbeturina dhe nuk kanë vlerë”.

“Nëse Bislimi takohet me Petkoviqin, atëherë kushtet e Kurtit janë për mbeturina, pra nuk e kanë asnjë vlerë. Atëherë, në njëfarë mënyre [Kurti] po e mashtron publikun me joparimin e tij kinse parimor. Do të ishte e turpshme nëse Bislimi do kishte takim me Petkoviqin, pikërisht për shkak të kushteve që i kemi dhënë javën e kaluar. Pra është non- sense në vete, një politike joshtetërore dhe palaço politikë. Prandaj nuk është dashur të folët nëse nuk e kanë seriozisht të bëjnë politikë”- është shprehur Arifi në një prononcim për KALLXO.com.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika