Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviq, ka thënë se shteti i saj do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës në maj.
“Mali i Zi në Këshillin e Ministrave në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në këtë mënyrë padyshim do ia japim përkrahjen Kosovës sa i përket të gjitha çështjeve me interes në fushën e integrimeve evropiane”, ka deklaruar Gorçeviq.
Në konferencën për media të mbajtur bashkë me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, ajo ka komentuar edhe votën e Malit të Zi kundër Kosovës në Komitetin për politikë dhe diplomaci të KiE-së të mërkurën.
“Si përfaqësuese e partisë politike ka nxjerrë qëndrimin e partisë edhe në këtë rast duhet të përkujtoj që Qeveria është me karakter heterogjen dhe të përkujtoj që pavarësisht nga e drejta e secilit subjekt politik të shpreh qëndrimin e vet shumica parlamentare ka nënshkruar marrëveshje koalicioni dhe janë obliguar në disa të drejta në këtë marrëveshje nënkuptohet përkrahja e Kosovës për pavarësinë dhe sovranitetin e saj si shtet por edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Malit të Zi”, është shprehur ajo.
Ndërkohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës por një deputete që përfaqëson një subjekt politik.
“Nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës në mbledhjen e Komitetit për politikë të jashtme të Këshillit të Evropës por një deputete që përfaqëson një subjekt politik ka shprehur qëndrimin e subjektit politik. Përfaqësimi në Këshillin e Evropës është i tillë që duhet të reflektojë edhe përbërjen politike të parlamenteve nacionale dhe rrjedhimisht deputetja Maja Vukiçeviq përfaqëson një parti politike e cila shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Malit të Zi”, është shprehur Bislimi. Sipas tij është me rëndësi që Vukiçeviq nuk përfaqëson qëndrimin e Malit të Zi.
“Kjo nuk është diçka risi edhe ne kemi në Kosovë, në parlamentin e Kosovës subjekte politike siç janë Lista Sërpska që punojnë dhe veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukiçeviq nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi i cili nuk ka ndryshuar që nga data 9 tetor të vitit 2008 e kur Mali i Zi ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës. Por, votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi I bashkëpunimit dhe margjinalizimi I veprimeve të tilla”, ka shtuar Bislimi.
Ndërkohë për votimin kundër të Serbisë ka thënë se nuk ka qenë risi. “Votimi i Serbisë nuk ka qenë risi për neve, Serbia veç se i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike. Por ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë një nder Kosovës me prezencën ë tyre sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, rrjedhimisht ata I kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës por duke shkel në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për neve përbën vlerë shumë të rëndësishme”, ka theksuar Bislimi.
//Koha.Net//