Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë kompensim jo të plotë për punën që e kanë kryer jashtë orarit në vitin 2023.
Në raportin e ZKA-së për vitin 2023 të Ministrisë së Mbrojtjes, është thënë se puna jashtë orarit e pjesëtarëve të FSK-së për kompensimin me ditë pushimi në rastet kur mbahen kujdestari, nuk është e rregulluar me ndonjë procedurë të shkruar.
Madje në raport thuhet se Ministria e Mbrojtjes në mungesë të buxhetit e aplikon kompensimin me ditë pushimi.
Auditori ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka një procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për t’u kompensuar me ditë pushimi.
“Bazuar në të dhënat e analizuara shihet se FSK e aplikon dhënien e nga një dite pushim edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë me arsyetimin e mungesës së stafit” – thuhet në raport.
Auditori tha se mungesa e një rregullimi të qartë për kalkulimin e kompensimit të punës jashtë orarit me ditë pushimi ishte shkaku i këtyre devijimeve dhe se arsye tjetër ishte edhe volumi i punëve dhe mungesa e personelit.
Auditori tha se kompensimi jo i duhur qoftë financiar apo me ditë pushimi përveç që ndikon në motivim të pjesëtarëve gjithashtu paraqet rrezik që Ministria të ballafaqohet edhe me padi gjyqësore që do të kishin ndikim financiar duke shkaktuar edhe shpenzime të tjera gjyqësore apo përmbarimore.
Ligji për pagat në sektorin publik përcakton se zyrtarët publikë dhe kategoritë e tjera të të punësuarve që paguhen nga buxheti i shtetit përfitojnë kompensim në vlerë monetare apo me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjavë, punën në ditët e festave zyrtare, por, edhe mund të kërkojnë nga punëdhënësi që në vend të kompensimit në pagë, kompensimi të bëhet me ditë pushimi.
Ndërsa Rregullorja e Ministrisë për orarin e punës në FSK përcakton se orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë ose tetë orë në ditë, dhe pjesëtarët e FSK-së janë të obliguar t’i përmbahen këtij orari.
Orari i punës për pjesëtarët e FSK-së është prej orës 08:00 deri në orën 16:00, prej të hënës deri të premten.
Auditori i ka rekomanduar ministrit që të rishikojë rregulloret aktuale për orarin e punës duke i përshtatur me aktivitetin e saj dhe të sigurojë një rregullim të qartë në lidhje me kompensimin e punës jashtë orarit me ditë pushimi në mënyrë që të gjithë pjesëtarët të cilët shërbejnë jashtë orarit të kompensohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministria është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Ministria e Mbrojtjes ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, kjo ministri ka marrë pesë rekomandime, prej tyre dy rekomandime të reja, një të përsëritur, dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej shtatë rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, katër rekomandime ishin zbatuar, dy janë zbatuar pjesërisht ndërsa për një rekomandim tjetër nuk ka filluar zbatimi./KALLXO.Com