Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2023, listoi disa gjetje për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas raportit, 20 zyrtarë serbë që u sistemuan më 2015 vazhdojnë të marrin paga pa punuar asnjëherë. E një gjetje tjetër thotë se në proporcion me vitin paraprak në këtë dikaster qeveritar më 2023 është rritur për 52 numri i zyrtarëve policorë që u sistemuan në pozita, pa e plotësuar kriterin e gradës
Njëzet punonjës nga radhët e komunitetit serb, që në vitin 2015 janë sistemuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) me qëllim të integrimit në sistemin e Kosovës. Ata ende marrin pagë mujore pa punuar asnjëherë, tregon raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Bazuar në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare të MPB-së për vitin 2023, ky dikaster qeveritar nuk ka arritur të ndërmarrë hapa konkretë për monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.
“Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për Ministrinë që nga nënshkrimi i aktit të emërimeve të tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevantë, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Vlera e pagesave të realizuara për këta punonjës për vitin 2023 ishte 108.794 euro”, thuhet në raport.





