Më shumë se 180 mjekë janë larguar nga Kosova për në vendet perëndimore. Si pasojë e kësaj, brenda pesë vjetësh do të vërehet një mungesë e madhe e këtyre profesionistëve.
Krahas ikjes së mjekëve, jashtë vendit po largohen edhe infermierë të lëmive të ndryshme, të cilët përmes kompanive gjermane po gjejnë zgjidhje për t’u larguar.
Albulenë Shala, nga “Comsense Kosova”, e cila merret me rekrutimin e infermierëve, tha për Ekonomia Online se interesimi për të ikur jashtë vendit është shtuar më shumë në tre mujorin e fundit.
“Interesimi për të rinjtë është rritur shumë, ne këtë punë e bëjmë që tri vjet, por tremujori i fundit e ka rritur interesimin shumë. Nuk janë ata vetëm për të mësuar gjuhën, por veçse e kanë mësuar vetë gjuhën, pra tregon se rrugën e kanë marrë shumë moti për të shkuar në Gjermani”, u shpreh ajo.
Ndonëse thotë se operojnë që një kohë të shkurtër, me shumicën prej kandidatëve nuk mund të merren. Ajo thotë se kandidatët tjerë kanë kërkuar që të shtohen edhe lëmitë tjera.
“Është shtuar shumë, gjatë tremujorit të fundit që është rritur numri, si për infermierë por edhe për profile tjera ne kemi që vijnë dhe pyesin dhe për profile tjera, kjo ka të bëjë me situatën momentale në Kosovë që e dimë se është pak e vështirë”.
Imun nga ky fakt, nuk janë as mjekët. Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës, tha se trajektorja e largimit të mjekëve nga Kosova është rritur dukshëm.
Ai ka thënë se parashikimet e OMK-së që deri në fund të vitit do të largohen 200 mjekë, mund të tejkalohet.
“Ajo trajektorja e largimit të kolegëve jashtë Kosovës është duke u rritur. Derisa në fund të vitit të kaluar kemi pas 150 mjekë, deri më sot i kemi 185 mjekë, dhe presim që t’i afrohet atij parashikimi që e kemi pasur në fillim të vitit që do të largohen rreth 200 mjekë, që është numër i madh dhe që është shqetësuese, ndoshta jo për momentin pasi shumica janë të papunë, por që shqetësimi fillon të rritet kur shohim se po largohen specializantë. Momentalisht nuk mund të krijojë probleme por se pas pesë vjetësh, gjithsesi se po sepse këta është dashur të na zëvendësojnë ne që largohemi”, u shpreh Sejdiu, teksa shtoi se kjo krijon edhe një imazh të keq për gjeneratat e ardhshme.
Sejdiu ka folur edhe për qasjen sesi duhet të ndërmerret nga Qeveria, për ta ulur trendin e largimit nga Kosova. Ai ka thënë se Projektligji i Pagave, do ta ulte sado pak këtë numër.
“Ne para disa vitesh i kemi dhënë raportet tona me disa problematikë që duhet të merret ministri, dhe ndër to ka qenë çdo herë largimi, dhe ne i kemi propozuar edhe në draftligjin që po ndryshon, madje edhe në këtë të fundit. Me siguri që po. Sepse në sondazhe si arsye po del të jetë edhe paga e ulët. Pra me këto paga nuk shohin perspektivë”, u shpreh Sejdiu. /EO/koha.net/