Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin urdhërohet kryeministri, Albin Kurti, që të paraqitet në Prokurorinë Speciale më 4 mars 2025 në cilësinë e dëshmitarit.
Kryeziu, në sqarimin e tij publik është shprehur se sot gjatë ditës zyra e kryeministrit i është drejtuar Gjykatës Themelore pikërisht si përgjigje ndaj njoftimit të saj të datës 21 shkurt 2025. Ndërkaq, thekson se për këtë ne ende po presin përgjigje nga Gjykata.
“Raportimet e orës të fundit se Gjykata Themelore urdhëron kryeministrin Kurti të paraqitet si dëshmitar, nuk janë përgjigje ndaj letrës sonë që e kemi publikuar sot, por bazohen në Njoftimin e Gjykatës së datës 21 shkurt të cilit Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur sot, 28 shkurt. Me ose pa qëllim, deklarata që Gjykata Themelore u ka dhënë medieve sot po përdoret për keqinformim duke krijuar opinionin e gabuar se përkundër përgjigjes së Zyrës së Kryeministrit Gjykata ka urdhëruar Kryeministrin Kurti që të paraqitet në prokurori”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.