Sot, më 26.08.2025, ka nisur qarkullimi i veturave në urën e re mbi Lumin Ibër. Kjo urë ishte paraparë që të lëshohet në qarkullim disa ditë më vonë, më 01.09.2025.
KALLXO.com ka gjetur se ura e re mbi Lumin Ibër është lëshuar në qarkullim pa u testuar me ngarkesa siç parashihet në kontratë.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi. Durmishi tha se testimi me ngarkesa pritet të bëhet këto ditë ndërsa të njëjtën e quajti formalitet.
“Testimi me ngarkesa bëhet sot, nesër, nuk e di saktë kur bëhet po ajo është veç formalitet sepse ne në njëfarë mënyre e kemi testu urën me dy kamionë me ngarkesë plot me asfalt dhe me dy … e kemi testu urën kemi kalu mbi urë i kemi marrë raportet paraprake të mostrave që janë marrë që i plotësojnë të gjitha kriteret për projektin se si është bë tash është thjesht veç formalitet ajo”- tha ai.
Durmishi tha se ura është stabile dhe se qytetarët janë duke e shfrytëzuar atë.
“Ura është stabile, ura është lëshu për qarkullim kjo është me rëndësi, qytetarët po e shfrytëzojnë. Unë jam këtu te ura, makinat po kalojnë pa asnjë problem”- theksoi ai./Kallxo.com