Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan, Keith Self, ka përdorur kohën e tij gjatë një seance dëgjimore me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të theksuar rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.
Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, Self e përshkroi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë” dhe nënvizoi se integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
Gjatë diskutimit, kongresmeni amerikan mirëpriti edhe emërimet e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se është e rëndësishme që administrata amerikane të emërojë sa më shpejt edhe një ambasador në Kosovë.





