Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka kritikuar kryeministrin Kurti për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Selmanajt, Kurti jo vetëm që nuk mbajti premtimin e tij për kushtëzimin e dialogut me çështjen e të pagjeturve, por edhe pranoi marrëveshje si ajo e Burkselit dhe aneksi i Ohrit, të cilat sipas tij janë në dëm të Kosovës.
Ai ka thënë tutje se e vetmja gjë që duket se është arritur është barazimi i krimeve shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës me disa raste të serbëve të zhdukur gjatë luftës.
Reagimi i plotë:
“Dje Kosova shënoi Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, me kryeministrin që bëri homazhe dhe vizitoi gratë në Krushën e Vogël. Megjithatë, ajo që mungoi ishte një kërkim falje, pasi është i vetmi politikan në Kosovë që ka shfrytëzuar edhe këtë çështje të ndjeshme për përfitime politike.
Nuk pamë asnjë kërkim falje për dështimin në realizimin e shumicës së planit të tij për krimet e luftës. Madje Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore përpara se të formohej qeveria, kishte vizituar nënat gjakovare të cilave u kishte thënë se është i bindur që dialogu duhet të kushtëzohet me të pagjeturit. Por ajo çfarë ndodhi gjatë qeverisjes së tij, ishte shkelja me dhjetra herë e këtij premtimi.
Jo që nuk e kushtëzoi dialogun me çështjen e të pagjeturve, por shkoj edhe më larg duke pranuar marrëveshje si ajo e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të cilat janë në dëm të Kosovës.
Të mos harrojmë se zgjedhjet janë një proces ku politikanët premtojnë, dhe populli, përmes votës, zgjedh kë t’i zbatojë ato. Në vitin 2021, shumica e qytetarëve ia besuan Albinit detyrën për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.
Mirëpo, pas 4 vitesh dhe me një buxhet prej 12 miliardë eurosh, a mund të tregoni një shenjë të ndonjë premtimi të përmbushur? Gjykojeni vetë.
U harrua kushtëzimi i dialogut.
U harrua padia ndaj Serbisë për gjenocid.
U harruan të gjitha…
E vetmja gjë që duket se është arritur është barazimi i krimeve shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës me disa raste të serbëve të zhdukur gjatë luftës.”, shkruan Selmanaj./TVPrizreni/