Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa foli për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve të ri të Shqipërisë, tha se Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë e as të dijë se çfarë bën shteti serb, por sipas Ramës, duhet t’i kryejë detyrat e veta në raport me BE-në.
Ai ka deklaruar se e trishton fakti që nuk ka bërë asnjë përparim në këtë drejtim.
“Më trishton të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se ka një rrugë shumë të qartë: Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet të dijë çka bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë BE-së të gjithë atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ec përpara. Kjo nuk ka të bëjë me pranimin e asaj se çka kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj çka kërkon BE-ja. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja është një dështim i madh sepse formati është i gabuar sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë: Vendet duhet t’i pranojnë kushtet që lidhen me vlerat e BE-së. Nëse Kosova e bën këtë, është në të mirën e saj, por nuk duhet ta lidhë me Serbinë”, deklaroi Rama.





