Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore të DRP-së në Prizren, gjatë periudhës kohore 12 gusht deri 18 gusht 2024, në vazhdën e implementimit të planit operativ “Rrethi 2024”, kanë realizuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon katër komuna në rajonin e Prizrenit.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1826 gjoba për kundërvajtësit të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.
Po ashtu në kuadër të këtij plani, realizimi i urdhëresave të Gjykatave Themelore, në periudhën kohore 12 gusht deri më 16 gusht 2024, ka realizuar 63 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale, thuhet tutje në njoftim.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në vazhdimësi edhe në ditët në vijim do të shtojë numrin e aktiviteteve policore në terren në parandalimin e dukurive negative, për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në rajonin e Prizrenit.”, njofton në fund DRP në Prizren./TVPrizreni/