Partia Demokratike e Kosovës ka ankimuar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që i detyron mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në treg të lirë të energjisë.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se ky është një veprim në mbrojtje të interesit publik, ekonomisë së vendit dhe qindra mijëra vendeve të punës në shtetin tonë.
“Sapo deponuam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e cila në mënyrë të dhunshme nxjerrë rreth 1 mijë e 300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, sepse treg të lirë të energjisë elektrike në Kosovë nuk ka”, tha ai.
Tahiri theksoi se ky vendim i ZRRE-së, i cili u legjitimua edhe nga Gjykatës Themelore dhe nga ajo e Apelit, shkon në dëm të ekonomisë së vendit.
“Kemi argumentuar mjaftueshëm mirë që këto vendime të dy gjykatave, të këtyre dy niveleve janë vendime që bien në kundërshtim me rendin tonë kushtetues. Prandaj, ne sot kërkuam një masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të pezullohet implementimi i këtij vendimi”, shtoi ai.
Tahiri tha se ky vendim i ZRRE-së i konvenon vetëm këshilltarëve të kryeministrit Kurti, që sipas tij tashmë shesin energji elektrike.
“Tashmë është një grup i ngushtë kriminal, që sillet rreth zyrës së kryeministrit, këshilltarë të kryeministrit, të cilët shesin energji elektrike dhe këto biznese e këta njerëz janë të detyruar të blejnë energji elektrike rreth 280 për qind më shtrenjtë se sa e kanë paguar deri para pak muajve”, përfundoi ai.