Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar të panevojshme ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit, raporton KosovaPress.
Duke folur për mundësitë që Kushtetuesja ta pezullojë rrjedhën e afatit për formim të qeverisë duke vendosur masë të përkohshme, Osmani tha se Lista Serbe po tenton të krijojë vonesa në formim të institucioneve. Kjo, sipas saj, dëmton interesat e Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve të të gjitha etnive.
Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese më 16 tetor, ku pretendon se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
“Totalisht e panevojshme. Ju e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve. Besoj se kjo është një tentim tjetër për vonesa të cilat, siç e dini, e kanë dëmtuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues. Siç e dini, me Ligjin për Qeveri, kompetencat e qeverisë në detyrë janë të limituara. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash që Kuvendi është i konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi një qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë pastaj varet tërësisht nga koalicionet mes partive politike dhe aty nuk mund të ndërhyjë. Është në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie që të kemi institucione me mandat të plotë kushtetues. Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve që jetojnë, përfshirë serbëve në Kosovë”, tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se i takon Gjykatës Kushtetuese vendimi për vendosje të masës së përkohshme apo jo. Sipas saj, Kushtetuesja e ka lirinë dhe pavarësinë e plotë që të vendosë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykata e ka lirinë dhe pavarësinë e plotë që të vendosë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk mund të supozoj se cili do të jetë vendimi final i gjykatës në lidhje me kërkesën e Listës Serbe. Vrojtimi im ishte në kontekstin politik dhe të drejtave të qytetarëve tanë. Çdo vonesë tutje i shkel të drejtat e qytetarëve tanë”, shtoi ajo.
Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, rrjedhimisht konstituuimit të Kuvendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11 tetor ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
Megjithëse kanë kaluar dhjetë ditë nga ky afat dhe deri tani nuk është bërë publike ndonjë tentativë për sigurimin e votave për qeveri, presidentja Osmani tha se ka ende kohë dhe se nuk do të ngutët të japë supozime se po dështojnë të sigurohen numrat për votimin e qeverisë së re.
Madje ajo ndau edhe përvojën e saj sa ka qenë e angazhuar në parti politike, ku tha se shpeshherë negociatat për koalicione qeverisëse ndodhin prapa dyerve të mbyllura.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, bashkë me partnerët e koalicionit Guxo dhe Alternativa kanë 48 deputetë. Deri tani, publikisht kanë përkrahjen e tetë deputetëve nga komunitetet jo shumicë, duke çuar numrin në 56 deputetë.
“Unë nuk do të ngutem të jap supozime se do të dështojnë në krijimin e qeverisë, pasi ka edhe pak kohë. Të shohim dhe shpresoj që të ketë angazhim maksimal për krijimin e qeverisë së Kosovës, pasi qytetarët kanë votuar më 9 shkurt të këtij viti që të kenë institucione dhe jo të rikthehen në zgjedhje…Sa i përket përpjekjeve të partive politike. Po rikthehem te përvoja ime kur kam qenë në parti. Shumica e këtyre diskutimeve mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura dhe shpesh e merrni vesh shumë vonë. Madje edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohen disa prej koalicioneve të tilla. Andaj unë nuk do të sugjeroja se nuk ka përpjekje, pasi vetëm që ne nuk i dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur. Nuk jam e sigurt se ka përpjekje dhe ato janë të mjaftueshme, pasi si presidente nuk ndërhyj në diskutimet mes partive politike”, theksoi Osmani.
Megjithatë, Osmani nënvizoi se nëse LVV-ja, si partia e parë, nuk arrin të sigurojë shumicën në Kuvend dhe më pas dëshmohet se edhe në mundësinë e dytë askush nuk mund ta formojë qeverinë e re, ajo do të vendosë për zgjedhjet e reja, në bazë të dispozitave kushtetuese.
“Nëse vijmë deri te kjo situatë e tillë, ku as partia e parë dhe kushdo që mund të ketë mundësinë e dytë, pasi ajo është në diskrecion të presidentes, nuk arrin, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë dhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për këtë temë. Afati që jepet është tridhjetë deri në 45 ditë. Këtë datë do ta vendos në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimeve me partitë politike”, theksoi ajo.
Këto komente presidentja Osmani i bëri të hënën pas marshit kundër kancerit të gjirit, në kuadër të manifestimit tradicional me moton “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”./KSP