Prokuroria Themelore në Prizren njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.G., dhe N.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 172 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, me datë 09.10.2025 në Prizren, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit, në pronën e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar bimë të kanabisit, të cilat ishin kultivuar nga të pandehurit. Sipas ekspertizës forenzike, këto bimë kanë rezultuar se përmbajnë substancën narkotike kanabis-marihuanë.





