Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi pas kritikave për mungesë të rishikimi të buxhetit. Ai tha se rishikimi është mundësi por jo kërkesë ligjore, megjithëse tha se janë duke monitoruar situatën me organizatat buxhetore por bëri të qartë se asgjë nuk mund të bëhet pa fillimin e sesioni vjeshtor të punës së Kuvendit, i cili miraton rishikimin.
“Çështja e rishikimit të buxhetit është mundësi, por nuk kërkohet, nuk është e domosdoshme, megjithatë ne jemi duke monitoruar dhe duke shqyrtuar organizatat buxhetore dhe ekzekutimin edhe të projekteve dhe nevojave të tyre, ka disa kërkesa që kemi pasur deri më tani dhe do të shohim siç procedojmë tutje, natyrisht Kuvendi është në pushim dhe nuk është se edhe po të bëhej diçka nga ana e qeverisë do të kishte ndikim për shkak se derisa të kthehet prej pushimit nuk mund të dorëzojmë projektligjin në Kuvend”, tha Murati.
Murati është përgjigjur edhe rreth kërkesës që pensionistët të paraqiten fizikisht në zyrat Departamentit të Pensioneve për verifikim, duke thënë se kjo është kërkesë ligjore, pavarësisht se pezullimi kishte ndodhur për shkak të pandemisë.
Sipas tij, duan të sigurohen që pensionet po shkojnë në adresën e duhur.
“Ka qenë një periudhë pezullimi kur kjo kërkesë ligjore ka qenë e pezulluar për shkak të pandemisë, megjithatë marrë parasysh numrin që kemi pa që ka raste shpeshherë ai zinxhiri i raportimit nuk funksionon sa duhet nëpër institucione të tjera dhe nëpër disa komuna ose regjione, e kemi pa të nevojshme që të rikthejmë edhe një herë që të bëhet një ri-shoshitje dhe të sigurohemi që numri i pension-marrëseve të jetë i saktë sepse jemi të përkushtuar që të kemi mbështetje të dinjitetshme për të gjitha kategoritë shoqërore në vend, megjithatë duam po ashtu të sigurohemi që paratë po shkojnë në adresën e duhur, aty ku ka nevojë, edhe ky proces është bërë me këtë gjë në mendje”, vijoi Murati.
Murati tha se numri paraqitjeve po ndryshon çdo orë por shtoi se shumica dërrmuese tashmë e kanë kryer këtë obligim.
Ai tha se për pensionistët me probleme shëndetësore verifikimi kryhet nga ekipet mobile, ndërsa për pensionistët që lajmërohen më vonë, pagesa e pensionit do t’ju bëhet në mënyrë retroaktive.
“Mjafton që dikush prej familjes të paraqitet në zyrën e pensioneve dhe ekipi mobil shkon dhe nëse ka raste të gjendjes së rënduar shëndetësore, por edhe të çështja e këtij afati ka të bëjë me pezullimin e përkohshëm, pra kurdo që paraqitet me vonë, gjatë muajve të ardhshëm mund t’i kthehet retroaktivisht pensioni vetëm se pezullohet për momentin për të pasur mundësi që institucionet e vendit ta bëjnë verifikimin e duhur për pension-marrësit”, përfundoi Murati.
Afati i paraqitjes fizike të pensionistëve në objektet e Departament të Pensioneve apo i vizitës mobile nga zyrtarët e këtij departamenti do të përfundojë sot. /KP/