Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se shtesat prej 100 eurosh për fëmijët deri 16 vjet dhe për përfituesit e skemave pensionale janë ekzekutuar të premten. Ai po ashtu ka bërë të ditur se janë ekzekutuar edhe pagat për shërbyesit civilë. Në total, sipas tij, ky transfer ka pasur vlerën e 140 milionë eurove.
“Pas një pune maratonike të stafit në MFPT sot kemi procesuar transferin e: pagave për shërbyesit publikë, shtesën e njëhershme prej 100 euro për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç që marrin shtesa, si dhe shtesën e njëhershme prej 100 euro për të gjithë përfituesit e skemave pensionale, përfshirë edhe skemat e kategorive të luftës. Mbi 400 mijë fëmijë përfitues, rreth 300 mijë pensionmarrës përfitues, dhe mbi 83 mijë shërbyes publikë. Gjithsej 140 milionë euro në një ditë të vetme”, ka njoftuar ai në Facebook.
Transferi është ekzekutuar, por varësisht nga banka, do të dalin edhe mjetet në llogari, disa më herët e disa më vonë.