Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti sot në takim sekretarin e Ministrisë së Brendshme Federale të Gjermanisë, z. Bernd Krosser, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jorn Rohde dhe ekipi i tij.
MPB njofton se ministri Sveçla i uroi mirëseardhje në Ministrinë e Brendshme sekretarit Krosser dhe me këtë rast shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të MPB-së, para delegacionit ministri Sveçla prezantoi të arriturat në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, kontrabandës, migrimit të parregullt dhe çdo ilegaliteti tjetër. Ai ka theksuar se këto të arritura janë edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë të cilët kanë kontribuar në ngritjen dhe forcimin e institucioneve të sigurisë.






