LAJME

Mbi 2 kilogramë substancë narkotike në autobus drejt Kosovës, Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar

Mbi 2 kilogramë substancë narkotike në autobus drejt Kosovës, Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Shtator 2026, 12:01

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Xh.K. (shtetas i Republikës së Shqipërisë), i cili gjendet nën masën e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, i pandehuri Xh.K., ka importuar pa autorizim substanca narkotike të llojit “marihuanë”. Siç bëhet e ditur, i njëjti, substancën narkotike e kishte siguruar në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe më pas, në afërsi të një pike të shitjes së derivateve pranë stacionit të autobusëve në Tiranë, kishte hipur në një autobus të një kompanie turistike me destinacion Republikën e Kosovës.

Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, zyrtari policor, pasi kishte hyrë në autobus për kontrollimin e dokumentacionit të udhëtarëve, kishte ndjerë aromën e substancave narkotike në pjesën e pasme të autobusit, ku ishte ulur i pandehuri.

Me rastin e kontrollit të çantës së të pandehurit, thuhet se janë gjetur:

  • një qese najloni me substancë narkotike të llojit “marihuanë”, me peshë 2 kilogramë e 162 gramë;
  • një qese najloni me substancë narkotike të llojit “marihuanë”, me peshë 2.13 gramë; dhe
  • një peshore elektrike me këllëf.

Sipas aktakuzës, substancat narkotike ishin destinuar të importoheshin në Republikën e Kosovës, konkretisht në qytetin e Ferizajt, me qëllim të shpërndarjes dhe ofrimit për shitje.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika