LAJME

Von der Leyen viziton Prishtinën të enjten, takon Kurtin e Haxhiun

Von der Leyen viziton Prishtinën të enjten, takon Kurtin e Haxhiun
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Shtator 2026, 12:15

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Prishtinën të enjten më 01.10.2026.

Sipas agjendës së publikuar, Ursula von der Leyen do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Ajo do t’i vizitojë edhe Tiranën, Shkupin e Podgoricën, gjatë turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Me presidentin shqiptar, Bajram Begaj e kryeministrin, Edi Rama, Ursula von der Leyen do të takohet të mërkurën më 30.09.2026.

Ndërsa në Podgoricë, ajo do të shkojë më 01.10.2026, ku do të takohet me presidentin Jakov Millantoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.

Vizitën në Ballkanin Perëndimor, presidentja e Komisionit Europian do ta përfundojë në Maqedoninë e Veriut më 02.10.2026, me takimin me presidentin maqedonas Gordana Silanovska Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë këtij turneu nuk do ta vizitojë Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën.

Serbia dhe Bosnja do të mbajnë zgjedhjet në tetor të këtij viti. Më 04.10.2026 do të mbahen zgjedhjet në Bosnjë, ndërkaq më 25.10.2026 në Serbi.

Zyrtarët europianë zakonisht nuk e kanë praktikë të zhvillojnë vizita nëpër shtete që janë në prag të proceseve zgjedhore në mënyrë që mos të ndikohet procesi.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kishte dënuar mënyrën se si është organizuar funerali për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe, kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq, më 08.09.2026 në Beograd.

“Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiqit dje në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq derisa po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera”- kishte shkruar ajo në “X”./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika